Kolonat në pikën kufitare në Merdare janë gati 2 kilometra të gjata. Pritjet për të dalë nga Kosova në këtë pikë kufitare të shtunën arrinin deri në 3 orë.
‘’Që 3 orë jemi tu pritë, s’di as vet çka me thonë, kijamet.Vjen ai shoqi, zgjohet në ora 12 ta nxen rendin ,të del përpara, nuk ka as polici e asgjë, vjen vetura hyn pa rend. Pritjet janë gjithmonë kaq të gjata si në verë, ashtu edhe në dimër’’, tha një qytetar.
Ngarkesat në pikat kufitare janë bërë të zakonshme përgjatë festave të fundvitit për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve që vijnë në Kosovë e më pas largohen.
‘’Vështirësitë janë së pari I ftohti, pastaj kemi dhe fëmijë. Nëse bën një tejkalim, të kthejnë prapë mbrapsht. Policia kanë 3 deri 4 vetura pas, asnjë nuk e ndalin, se këtu shkon krejt me njoftësi. Zakonisht Merdarja është pika që presim më shumë’’, tha një qytetare.
Një prej telasheve më të mëdha sipas atyre që duan të kalojnë kufirin është mosrespektimi i radhës. Andaj disa thonë se janë ankuar në Policinë e Podujevës për mosmenaxhimin e kolonës.
‘’Unë për vetë 2 herë e kam lajmëruar stacionin policor të Podujevës,ose I thashe ka problem këtu , ose duhet dikush që të mbajë rendin,se edhe ne jemi këtu me fëmije e duhet dikush që ti dërgojë patrolat policore’’, tha një qytetar.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, më pak pritje ka në pikat tjera kufitare. Tek Dheu i Bardhë, pritjet janë deri në 2 orë, kurse në pikat tjera kufitare pritjet më të gjata janë deri në 15 minuta. /atvlive.tv