Përgatiti: Kastriot Tahiri
Procesi i regjistrimit të popullsisë pritet t’i ndryshojë shumë të dhëna, nëpër komunat e Kosovës.
Një nga to mund të jetë Fushë Kosova, që është shumëfishuar për nga numri i rezidentëve dhe banesave, qysh prej regjistrimit të fundit, më 2011.
Meqë vendimet e institucioneve merren në bazë të këtyre statistikave, nga Drejtoria për Arsim e kësaj komune, pret që në vitet në vazhdim të shtohet numri i shkollave dhe mësimdhënësve.
Por jo të gjitha komunat mendohet se do ta kenë të njëjtën gjendje. Sipas Kenan Gashit nga rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, migrimi i qytetarëve do të bëjë që në disa qytete të regjistrohen më pak banorë.
“Ne e shohim se do të ketë numër më të vogël të regjistrimit të popullatës sepse qytetarët kanë ikur në Evropë apo edhe qytete të tjera. Ferizaj dhe disa nga komunat mund të kenë ndryshime te popullatës sepse banorë nga qytet e tjera kanë ardhur për banim në këtë qytet”, tha Gashi.
Regjistrimi i popullsisë pritet të zgjat deri më 17 maj.
Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për qytetarët që bojkotojnë këtë proces, gjobat nisin nga 30 euro e deri 2 mijë euro.







