Ngjarja e rëndë në Zakynthos, ku një fëmijë vetëm 2 vjeç humbi jetën pasi u sulmua për vdekje nga një qen pitbull, vijon të tronditë opinionin publik në Greqi dhe në Shqipëri.
Gazetarja e A2 CNN, Adelina Onuzi, solli sot detaje të reja rreth tragjedisë që ka tronditur komunitetin lokal.
Nga kontakti me dy banore të zonës ku ndodhi ngjarja, u hodh më shumë dritë mbi mënyrën e jetesës së familjes dhe marrëdhënien e tyre me kafshët. Ato treguan se familja shqiptaro-britanike ishte e njohur për kujdesin ndaj qenve endacakë. Madje, sipas tyre, gjyshja e fëmijës kishte strehuar ndër vite rreth 80 deri në 84 qen të rrugës, duke i mbajtur përkohësisht dhe duke u ofruar ndihmë.
Kjo lidhje e ngushtë e familjes me kafshët shpjegon edhe afërsinë e fëmijëve me to. Banoret thanë se edhe në rrjetet sociale shpesh qarkullonin foto të familjes ku shfaqeshin qentë që kujdeseshin përkohësisht.
Ndërkohë, policia greke ka shoqëruar prindërit e fëmijës për deklarime, por më pas i ka lënë të lirë. Sipas autoriteteve, hetimet do të fokusohen tek rrethanat e mbajtjes së qenit dhe sjellja e tij, për të përcaktuar përgjegjësitë finale mbi tragjedinë. Deri tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga familjarët, ndërsa informacionet publike janë komunikuar kryesisht nga kryetari i bashkisë së zonës.
Komuniteti është ende i tronditur, ndërsa banorët që njihnin familjen e përshkruajnë atë si njerëz të përkushtuar ndaj kafshëve dhe shumë të kujdesshëm ndaj tyre. Ngjarja mbetet në hetim, ndërsa pritet që ekspertët veterinarë dhe policia të përcaktojnë në vijim edhe verdiktin përfundimtar mbi përgjegjësitë ligjore.






