Pas zyrtarizimit të lidhjes disa muaj më parë dhe paraqitjeve të shpeshta së bashku në evente publike, Princ Leka dhe Blerta Celibashi duket se po jetojnë një nga periudhat më të bukura të jetës së tyre.
Fotografja është në pritje të ëmbël dhe çifti pritet të mirëpresë fëmijën e tyre të parë së bashku pas disa muajsh. Burime pranë tyre kanë konfirmuar lajmin e shtatzënisë, duke zbuluar gjithashtu se Blerta pret një djalë.
Për Princ Lekën, ky do të jetë përjetimi i dytë i atësisë, pasi ai është tashmë baba i një vajze nga martesa e mëparshme me aktoren Elia Zaharia, nga e cila u nda kohë më parë.
Sipas të njëjtave burime, shtatzënia po shkon shumë mirë dhe çifti ka zgjedhur ta jetojë këtë periudhë me qetësi, larg vëmendjes së tepërt mediatike. Edhe pse zërat për një pritje të ëmbël kanë qarkulluar prej kohësh, tashmë lajmi konsiderohet i konfirmuar nga persona të afërt me ta.
Deri në këtë moment, as Princ Leka dhe as Blerta Celibashi nuk kanë bërë një reagim publik. Megjithatë, mësohet se përgatitjet për ardhjen e foshnjës kanë nisur prej disa kohësh, duke shtuar emocionin për kapitullin e ri që i pret. Përveç këtij lajmi, në rrjet po aludohet gjithashtu se çifti ka nisur edhe përgatitjet për dasmë.






