Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka paralajmëruar takim me liderët e partive politike në Kosovë, pasi bëri të ditur dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Ajo gjatë konferencës për media tha se sot do t’i ftojë përfaqësuesit e partive politike për datën e zgjedhjeve.
“Menjëherë sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve sepse është obligim që të konsultohemi paraprakisht dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve”, tha Osmani në konferencën për media.
Sipas raportimeve, takimi do të zhvillohet në ora 13:00.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këto konsultime, ndërsa kryeministri dhe kreu i VV-së, Albin Kurti nuk ka konfirmuar nëse do të jetë pjesë e takimit.
Osmani në një konferencë për media, tha se vendin në këtë situatë e sollën “njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”.
“Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Alternativa pra, zvarritjet do të krijonin situata shumë më të rrezikshme. Paqartësi kushtetuese, një proces i zvarritu pafund, siç e kemi parë në tërësi edhe vitin e kaluar dhe një shtet që tenton ta relativizojë edhe vet Kushtetutën e tij.
Shteti mbahet në këmbë nga një parim i vetëm: Ligji e Kushtetuta mbi të gjithë. Sot po përmbush një detyrim të qartë kushtetues dhe po ua rikthej fjalën atyre që në demokraci e kanë fjalën e fundit, qytetarit të Republikës”, tha Osmani.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit.






