Biznesmeni i njohur turk dhe presidenti i Klubit Sportiv Fenerbahçe, Steven Sadettin Saran, është shoqëruar në paraburgim mbrëmjen e sotme në kuadër të një hetimi që lidhet me lëndë narkotike, kanë bërë të ditur autoritetet turke.
Në një deklaratë zyrtare, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit njoftoi se Saran po hetohet nën dyshimet për përdorim dhe lehtësim të përdorimit të substancave narkotike. Sipas prokurorisë, rezultatet e testeve të kryera më herët gjatë ditës kanë rezultuar pozitive pas një kontrolli të realizuar gjatë fundjavës.
Raportimet mediatike bëjnë të ditur se në një mostër floku të marrë nga Saran është konstatuar prania e kokainës, ndërsa në analizat e gjakut, urinës dhe thonjve nuk është gjetur asnjë substancë narkotike.
Pas publikimit të rezultateve, Saran reagoi me një deklaratë me shkrim, ku mohoi kategorikisht përdorimin e drogës. Ai u shpreh se nuk e ka përdorur dhe as nuk ka qenë ndonjëherë në kontakt me substancën në fjalë, duke kërkuar që testet të përsëriten në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Po ashtu, Saran deklaroi se është i gatshëm t’u nënshtrohet analizave shtesë edhe në institucione ndërkombëtare të pavarura, rezultatet e të cilave, sipas tij, do t’i bëjë publike. Ai ngriti shqetësime serioze edhe për rrjedhjen e informacionit nga dosja hetimore, pavarësisht urdhrit për konfidencialitet.
Sipas Saranit, publikimi i detajeve nga një dosje e supozuar sekrete në disa media njëkohësisht dhe në mënyrë të koordinuar përbën një shkelje serioze. “Jam i bindur se e vërteta do të dalë në pah dhe se procesi do të përfundojë në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me parimet e shtetit ligjor”, u shpreh ai.
Shtëpia e Steven Sadettin Saran është kontrolluar më 19 dhjetor, në kuadër të një hetimi më të gjerë për drogë, që përfshin disa persona publikë, përfshirë gazetarë, figura të njohura të rrjeteve sociale dhe biznesmenë.






