Presidenca e Kosovës, i është përgjigjur kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, pasi ky i fundit kërkoi që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.
Në përgjigjen e presidencës thuhet se në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët, presidentja Osmani e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë.
Reagimi i plotë i Presidencës:
Presidentja Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj.
Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia.
Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.
Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia.
Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes