Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka njoftuar se nga sot (e hënë) bileta e autobusit në Trafikun Urban mund të blihet me SMS.
“Shumë e lumtur të ndaj me ju lajmin se e kemi arritë një tjetër synim drejt digjitalizimit të shërbimeve për qytetarë. Bashkë me Burimin, Ilirikun dhe Gentin, vendosëm një hap para në reformën e transportit publik. Ky është vetëm fillimi!”, ka shkruar Sahatçiu.
“Lehtë e shpejtë! Siç e kemi paralajmëruar, për herë të parë, qytetarët e Kryeqyteti Prishtina mund të blejnë biletën një drejtimëshe dhe biletën ditore në linjat 1, 3, 3B, 3C, 4 dhe 7C si dhe biletën për vajtje ardhje në aeroport, duke dërguar SMS përmes operatorëve IPKO dhe Vala”, ka njoftuar ajo.
Për të blerë biletën, udhëtarët e Trafikut Urban duhet të dërgojnë SMS në:
Dërgo SMS në 55990 për biletën një drejtim
Dërgo SMS në 55991 për biletën ditore
Dërgo SMS në 55992 për biletën për aeroport
Së shpejti me biletat javore dhe mujore dhe risi të tjera!