Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka aprovuar propozimin e Policisë së Kosovës për sanksionimin e tri kompanive private nën dyshimin për mashtrim në prokurimin publik.
Tre operatorë ekonomikë dyshohet se mashtruan Policinë e Kosovës në ofertat për tenderin e shpallur nga Policia e Kosovës për “furnizim me uniforma operacionale”, raporton Paparaci.
Tre operatorët, BE NEW L.L.C, Sabit Makiqi B.I. dhe Exim Jatex Sh.P.K., sipas Policisë së Kosovës, kishin ofruar ose paraqitur dokumente të rreme apo të falsifikuara në garën për tenderin që parashihte furnizimin me uniforma operacionale të policisë.
Në tri vendime të ndara, Organi Shqyrtues i Prokurimit aprovoi propozimet e Zyrës së Prokurimit të Policisë së Kosovës dhe vendosi në Listën e Zezë tri kompanitë private.
Lista e Zezë e Gjykatës së Tenderëve është një proces i cili u ndalon kompanive pjesëmarrjen në aktivitetet e prokurimit publik për periudha të caktuara, raporton Paparaci.
Sipas vendimit të OShP-së, tri kompanitë: BE NEW L.L.C. dhe Sabit Makiqi B.I., me bazë në Prishtinë, si dhe ndërmarrja private Exim Jatex Sh.P.K. me bazë në Gjakovë, janë përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurimin publik për nëntë muajt e ardhshëm.
Vendimet e OSHP-së kanë konstatuar se tri kompanitë private kanë “paraqitur të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara” në tenderin e Policisë së Kosovës.
Vendimet janë nxjerrë nga Gjykata e Tenderëve më 13 tetor të këtij viti. Ato mund të anulohen nga OSHP-ja në rast se Policia e Kosovës vërteton se tri kompanitë nuk kanë tentuar mashtrimin e institucionit policor në aktivitetet e prokurimit publik.









