Njësitë patrulluese të Policisë Kufitare nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare, Hani i Elezit, kanë parandaluar një rast të kontrabandës në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të policisë bëhet e ditur se rreth orës 03:20 të mëngjesit, njësitë patrulluese kanë arritur të lokalizojnë dhe ndalojnë tri automjete në fshatin Seqishtë, Han i Elezit, me të cilat po kryhej kontrabanda e mallrave.
“Gjatë kontrollit, në këto automjete janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme komerciale, përfshirë veshmbathje, bizhuteri, aksesorë, mjete pune dhe shumë artikuj të tjerë, të cilët dyshohet se po kontrabandoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar tre persona të dyshuar: M.B., 23 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut, A.N., 32 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe I.L., 19 vjeç, shtetas i Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa mallrat e kontrabanduara dhe automjetet janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor në Han të Elezit.
“Policia Kufitare vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke siguruar një kufi të sigurt dhe të kontrolluar”, thuhet në njoftim.