Policia e Kosovës ka identifikuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në disa raste vjedhjeje në territorin e Suharekës.
Gjatë kësaj jave, Sektori i Hetimeve i Stacionit Policor të Suharekës, përmes hetimeve intensive dhe bashkëpunimit të ngushtë me stacionet policore të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, ka arritur të identifikojë pesë persona të dyshuar për vepra penale të vjedhjes dhe vjedhjes së rëndë.
Në një nga rastet, është intervistuar i dyshuari E.B. nga Fushë-Kosova, i cili në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar plotësisht kryerjen e veprës penale.
Po ashtu, në një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, hetuesit policor kanë identifikuar dy të dyshuarit O.S. dhe A.D. Të njëjtit, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, kanë pranuar përgjegjësinë për veprën e kryer.
Ndërkohë, për një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, janë identifikuar edhe dy persona të tjerë si të dyshuar, për të cilët hetimet janë në vazhdim.
“Policia e Kosovës, po dëshmon se është e vendosur dhe e palëkundur në luftën kundër krimit. Me profesionalizëm dhe përkushtim, hetuesit policor po punojnë pa u lodhur për të identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar kryesit e veprave penale – sidomos ata që kryejnë vjedhje dhe vjedhje të rëndë, një sfidë e madhe për rendin dhe sigurinë publike“, thuhet në njoftim.






