-0.7 C
Pristina
Friday, April 10, 2026

Përplasjet diplomatike dhe mesazhi amerikan për “liderë që shohin nga e ardhmja”- çka u tha në Këshill të Sigurimit

Kosova dhe Serbia kanë drejtuar akuza ndaj njëra-tjetrës në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën, të mbajtur të enjten në New York. Kosova u përfaqësua nga kryediplomati, Glauk Konjufca, ndërsa Serbinë e ka përfaqësuar ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq.

Kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca në fjalën e tij, i ka bërë thirrje Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mos e mbajë peng integrimin e rajonit në struktura euroatlantike.

“I bëjmë thirrje Serbisë që të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, duke mos e mbajtur peng gjithë shoqërinë e rajonin të një hegjemonie të tillë”.

“ Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur që të ndërhyjë në zgjedhje duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Srpska në zgjedhjet në Kosovë. Ne kemi penguar ndërhyrjet e tilla të huaja dhe kemi arritur ta ruajmë integritetin”, tha ai.

Kryediplomati kosovar potencoi se Serbia është ajo që pengon paqen mes dy shteteve fqinje.

“Jemi shtet paqedashës, asnjëherë s’kemi ndërhyrë në shtetet e tjera apo në politikat e tyre të brendshme. Përkundër agresionit të Serbisë dhe kërcënimeve të tyre hibride ndaj shoqërisë dhe institucioneve të saj, Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet e veta ndërshtetërore, fqinjësore. Megjithatë, pengesa ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as ti bashkohet BE-së. Ata përpiqen t’i mohojnë rajonit tonë stabilitetin e integrimin e plotë këtij rajoni në struktura euroatlantike”.

Konjufca po ashtu demantoi pretendimet e kryediplomatit serb Marko Gjuriq për shkeljen e të drejtave e “persekutimin e popullit serb” cenimin e të drejtave të serbëve, duke thënë se Kosova ka mekanizmat më të avancuar në Europë për mbrojtjen e pakicave.

Në fjalën e tij, kryediplomati kosovar potencoi se çelësi për paqe dhe stabilitet në Ballkan mbetet tek njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO’së.

Konjufca ka përmendur njohjet e fundit që i kanë ardhur Kosovës nga katër shtete të OKB’së, derisa u ka bërë thirrje vendeve tjera që pa vonesa ta njohin Kosovën.

“U jemi mirënjohës 121 shteteve anëtare të OKB-së të cilat zyrtarisht e kanë njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës. Unë u bëj thirrje shteteve të tjera të OKB-së që pa vonesë të mëtejshme, ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe të hapin rrugë për miqësi dhe bashkëpunim të ri për përfitim të ndërsjellë”, ka deklaruar Konjufca.

Serbinë e ka përfaqësuar ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili e ka nisur fjalën e tij, duke thënë se Serbia “nuk është pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes”.

Më vonë, Gjuriq ka thënë në takim se flet “në emër të atyre që mbahen nën presion në Kosovë”, dhe ka pretenduar se për serbët lokalë në Kosovë, identiteti është kthyer në burim të pasigurisë, pasi “nën regjimin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, serbët identifikohen si “të tjerët” dhe që arrestimet, sulmet arbitrare dhe “eksodi i serbëve”, nuk mund të injorohen. Ai nuk i ka mbështetur pretendimet e tij me diçka konkrete.

Sipas Gjuriqit, Ligji për të Huajt ka shkaktuar brenga të mëdha për serbët në Kosovë.

“Ka pasur rrezik real që njerëzit të cilët kanë punuar me dekada, do të trajtoheshin si të huaj, duke humbur të drejtën e tyre për qëndrim apo për të jetuar në shtëpitë e tyre. Masat e tyre jo vetëm që janë të paqarta ligjërisht, por tregojnë për një vazhdimësi të riformimit të situatës. Serbët përballen me pengesa të shumta administrative e ligjore që ua bëjnë jetën më të vështirë, nga qasja në shërbime publike, deri te ushtrimi i drejtave themelore”.

Mes tjerash, ministri serb ka kërkuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse, sipas tij, serbët “kanë mbetur pa kornizën ligjore që u është premtuar”.

SHBA në OKB: Trump pret zotim të qartë nga Kosova dhe Serbia se do të punojnë së bashku

Përfaqësuesja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, në seancën e mbajtur për Kosovën të enjten ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump pret që Kosova dhe Serbia të punojnë së bashku drejt normalizimit.

“Presidenti [amerikan, Donald] Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Ne shpresojmë që të dyja palët do t’i ulin tensionet dhe do të ulen në tavolinë. Ne do të punojmë nga afër me liderë që shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara. Me dialog të vërtetë dhe jo teatër”, ka thënë zëvendëspërfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Tammy Bruce, duke përsëritur se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të ruhet stabiliteti në rajonin e Ballkanit.

“Populli i Kosovës dhe populli i Serbisë janë miqtë tanë. Ata meritojnë të ardhme që përkufizohet nga siguria, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet fqinjësore, jo me tensione politike apo me probleme të ricikluara”, ka thënë mes tjerash ajo.

Franca dhe Britania kërkojnë që autorët e Banjskës të përballen me drejtësinë

Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jennifer MacNaughtan, i ka bërë thirrje Serbisë që ta vë para organeve të drejtësisë, kryeterroristin Milan Radojçiq dhe pjesëmarrësit tjerë në sulmin e Bansjkës, shkruan Reporteri.net.

Ajo i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të zgjidhin mospajtimet përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Pas më shumë se dy vitesh nga sulmi në Banjska ne përsërisim thirrjen tonë për Serbinë që të vë para përgjegjësisë autorët, përfshirë Radojicicin”, ka deklaruar MacNaughtan.

“Vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të implementojnë marrëveshjet ekzistuese dhe t’i zgjidhin mospajtimet përmes dialogut të BE-së”, ka thënë ajo.

MacNaughtan ka bërë thirrje që sa më shumë anëtarë të OKB-së ta njohin Kosovën si shtet, duke thënë se njohja e Kosovës është esenciale për stabilitet afatgjatë.

Këtë kërkesë e pati edhe përfaqësuesi i Francës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jérôme Bonnafon. Ai ka thënë se është e papranueshme që dy vite pas sulmit në Banjskë, autorët janë ende të lirë.

Paraprakisht, edhe Mbretëria e Bashkuar i bëri thirrje Serbisë që ta vë para organeve të drejtësisë, kryeterroristin Milan Radojçiq dhe pjesëmarrësit tjerë në sulm, shkruan Reporteri.net.

“Dy vite pas sulmit në Banjska, është e pranueshëmem që autorët të mos kapen”, ka thënë Bonnafont.

Bonnafont ka folur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të fundit lokale duke thënë se Franca “duartroket” për mënyrën se si janë mbajtur ato.

Ai ka prekur edhe temën e dialogut, duke bërë thirrje për Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë procesin e normalizimit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA