Një situatë e tensionuar është krijuar në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku ka ndodhur një përplasje mes vëzhguesve të partive politike.
ATV ka siguruar një video ekskluzive, e cila është transmetuar në Edicionin Qendror të lajmeve, ku shihen momente kaotike nga salla “1 Tetori”, si dhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të qetësuar situatën.
Sipas gazetarit të ATV-së, Armand Hoti, përplasja ndodhi në tavolinën e numërimit numër gjashtë dhe përfshiu disa persona të pranishëm në proces.
“Para vetëm pak minutash, këtu në sallë, ndodhi një përleshje mes vëzhguesve të partive politike. Arritëm ta kapim këtë moment në kamera, ku u desh edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës”, raportoi Hoti nga vendngjarja.
Ai shtoi se disa nga të përfshirët në incident u shoqëruan nga policia dhe u larguan nga qendra e numërimit.
“Incidenti nuk zgjati shumë dhe nuk pati ushtrim të madh dhune, por disa nga vëzhguesit tentuan të kapeshin me njëri-tjetrin për një çështje ende të paqartë”, shtoi gazetari i ATV-së.
Ndërkohë, numërimi i votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës ka nisur me vonesa dhe probleme teknike, duke shkaktuar pakënaqësi mes pjesëmarrësve në proces. Sistemi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka pasur ndërprerje, duke bllokuar numërimin në disa tavolina, gjë që ka shkaktuar tensione mes vëzhguesve dhe përfaqësuesve të partive politike.
Organizata Demokracia në Veprim, e cila monitoron proceset zgjedhore, ka reaguar ndaj situatës, duke theksuar se problemet me numërimin mund të dëmtojnë besueshmërinë e zgjedhjeve.
“Çdo vonesë dhe problem në numërimin e votave dëmton transparencën dhe ndikon në perceptimin publik për ndershmërinë e zgjedhjeve,” thuhet në reagimin e organizatës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë thirrje për qetësi dhe për vazhdimin e procesit të numërimit në mënyrë të rregullt. Ndërkohë, policia ka mbetur në gatishmëri për të parandaluar incidente të tjera, ndërsa hetimet mbi përplasjen e ndodhur në tavolinën numër gjashtë po vazhdojnë. /atvlive.tv
Momentin e përplasjes në sallën “1 Tetori” e gjeni në videon më poshtë: