Më shumë se 30 persona kanë humbur jetën për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve në Pekin dhe rajonet përreth, njoftojnë mediat shtetërore kineze. Ndërkohë, dhjetëra mijëra banorë janë evakuuar nga kryeqyteti.
Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, deri në mesnatën e së hënës, 28 persona kanë ndërruar jetë në distriktin Miyun një zonë periferike e Pekinit dhe dy të tjerë në distriktin Yanqing.
Në provincën fqinje Hebei, një rrëshqitje toke e ndodhur të hënën ka shkaktuar vdekjen e katër personave, ndërsa tetë të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Reshjet e shiut filluan gjatë fundjavës dhe u intensifikuan të hënën, duke përfshirë Pekinin dhe provincat përreth. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, në disa zona në veri të kryeqytetit janë regjistruar deri në 543.4 mm reshje. Për pasojë, autoritetet evakuuan 80 mijë e 322 banorë, ndërsa infrastruktura rrugore dhe e komunikimit ka pësuar dëme të konsiderueshme. Deri të hënën në mesnatë, 136 fshatra kishin mbetur pa energji elektrike.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka urdhëruar një operacion të gjithanshëm kërkim-shpëtimi për të minimizuar humbjet në njerëz. Kryeministri Li Qiang e cilësoi situatën në Miyun si me “pasoja të rënda”, sipas raportimeve të mediave shtetërore.
Pekini shpalli alarmin maksimal për reshje dhe përmbytje të hënën, duke këshilluar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi. Shkollat u mbyllën, ndërtimet u pezulluan dhe aktivitetet turistike në ambiente të hapura u ndaluan.
Autoritetet nisën shkarkimin e ujit nga rezervuari i distriktit Miyun, i cili kishte arritur nivelin më të lartë që nga ndërtimi i tij në vitin 1959. Më shumë se 730 milionë metra kub ujë janë derdhur në këtë rezervuar më i madhi në veri të Kinës, deri të martën në mëngjes.
Përmbytjet e fuqishme kanë përfshirë distriktin Miyun dhe zonat kufitare me provincën Hebei, duke rrëmbyer automjete dhe duke rrëzuar shtylla elektrike. Në qytetin Taishitun, rreth 100 kilometra në verilindje të Pekinit, rrugët u mbuluan nga uji dhe balta.
“Uji erdhi me shpejtësi të frikshme. Brenda pak minutash gjithçka u përmbyt,” tha Zhuang Zhelin, një banor lokal që po pastronte baltën nga dyqani i tij.
Sipas parashikimeve, reshjet më të dendura pritet të bien gjatë së martës në mëngjes, me deri në 30 cm shi në disa zona.
Një vit më parë, në verën e vitit 2023, përmbytje ekstreme goditën Pekinin dhe Hebein, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe zhvendosjen e rreth 1 milion personave. Autoritetet u kritikuan për krijimin e një “moati mbrojtës” rreth kryeqytetit, që përkeqësoi situatën në provincën fqinje.
Qeveria qendrore njoftoi se ka ndarë 50 milionë juanë (rreth 7 milionë dollarë) për Hebein dhe ka dërguar një ekip të nivelit të lartë për menaxhimin e emergjencës në zonat e prekura.
Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po intensifikojnë dukuritë ekstreme të motit në mbarë botën nga përmbytjet te zjarret dhe valët e të nxehtit duke i bërë më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse. Analizat tregojnë se të paktën një duzinë ngjarjesh ekstreme në dekadën e fundit nuk do të kishin ndodhur pa ndikimin e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.