Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Reshjet e shiut gjatë së enjtes përmbytën Fshatin Miradi e Epërme. Nën ujë mbeten shtëpitë e nëntë familjeve të cilat jetojnë në rrugën Lumi.
“Komplet deri te dera ka ardhur uji, si t’ka reshje të mëdha, na jemi t’bllokum, as me kerr nuk mundemi me dal, pe shihni edhe vetë, dëme përgjatë shtëpisë, rrugë, ara…”, tha Xhavit Syla, banor.
Bllokimi i rrugëve nga rrebeshi i shiut bën që edhe banorët të ngujohen brenda.
“Sa herë ka reshje të tilla, fëmijët e kësaj lagjeje zor që mund të shkojnë në shkollë, njashtu edhe sot…”, tha Syla.
I vetmi kontribut nga Komuna e Fushë-Kosovës ishte hedhja e dy kamionëve zhavorr në pjesët e cekëta muaj më parë, por sipas banorëve, nuk kreu punë.
“Kanë qenë njëherë nuk e di çfarë kanë bërë këtu, diçka me një kompani me zall diçka, por asgjë, përsëri e njëjta situatë”, tha Selatin Syla, banor.
Duke treguar se nuk është hera e parë që Fushë-Kosova përballet me përmbytje të tilla, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon më shumë angazhim nga Komuna.
“Ne po e shohim situatën si po rrjedh, secila lagje, rrugë është më keq se tjetra, ndërkaq Komuna nuk e monitoron situatën asnjëherë, problemi qëndron edhe te ujërat e zeza”, tha asamblisti i LV-së, Durim Hajra.
Përveç Fushë-Kosovës, telashe me përmbytje pati edhe në të dy anët e magjistrales Prishtinë-Ferizaj, e cila deri në mëngjesin e së premtes ishte e paqarkullueshme. Madje, në të dy komunat pati edhe ndërprerje të ujit të pijshëm, si pasojë e turbullimeve.