PËRGATITI: ARMAND HOTI
Ndonëse u përjashtuan nga “Defender Europe 23”, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës vazhdojnë angazhimet e tyre krah trupave të NATO-s jashtë vendit. Sipas ish-gjeneralit të FSK-së, këto marrëveshje janë të domosdoshme për vendin.
Nuk ishin në krah të mijëra trupave të vendeve aleate të NATO-s, pjesëmarrëse në trajnimin “Defender Europe 23”. Mirëpo, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë avancimin e tyre profesional me shtetet anëtare të NATO-s.
Ministria e Mbrojtjes, në një përgjigje për ATV-në, tha se ushtarët kosovarë po ndjekin trajnime në vende të ndryshme të botës.
Forca e Sigurisë së Kosovës është duke i vazhduar të gjitha aktivitetet, trajnimet dhe operacionet, sipas planit dhe planifikimeve për vitin 2024. Pjesëtarët e FSK-së, momentalisht duke ndjekur trajnimet në vende të ndryshme, si: SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Turqi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Çeki, Austri dhe Itali.
Madje, angazhimet e pjesëtarëve Forcës të Sigurisë nuk mbarojnë me kaq.
Pjesëtarët e FSK-së janë duke ndjekur trajnime në fusha të ndryshme ushtarake, në bazë të misionit për oficer e nënoficer dhe janë duke vazhduar shkollimet në akademitë ushtarake të vendeve partnere si: ShBA, Mbretëri e Bashkuar, Gjermani, Turqi, Kroaci, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Momentalisht një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të FSK-së janë duke i ndjekur trajnimet jashtë vendit.
Kadri Kastrati, që udhëhoqi FSK-në nga viti 2011 deri në vitin 2015, vlerëson se marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, mes Kosovës dhe shteteve përkatëse janë të domosdoshme për vendin.
Këto janë jashtëzakonisht të rëndësishme pasi qëllimi është që Kosova të anëtarësohet në NATO. Andaj për ta arritur këtë, ne duhet t’i kemi edhe standardet e arritshmërisë, përgatitjeve, pajisjeve në nivel me ato të NATO-s, ose të përafërta me ato të NATO-s.
Ish-gjenerali thekson se është krenar me performancën që pjesëtarët e ushtrisë së Kosovës kanë treguar në angazhimet e tyre në shtetet partnere.
Ushtarët tanë gjithmonë janë kthyer me suksese dinjitoze nga atje, gjithmonë duke synuar vendin e parë, të dytë, të tretë.
Kurse, Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë konsideron se pavarësisht kapaciteteve që shtetet mund të kenë, arritja e marrëveshjeve në sferën e mbrojtjes është në interes të shtetit.
Ndërkohë, marrëveshje të tilla mund të jenë më pak produktive për shkak të kapaciteteve të shteteve, por Kosovës i intereson të ketë marrëveshje me të gjitha shtetet.
Kosova në muajin maj u përjashtua nga trajnimi “Defender Europe 23” si rezultat i mospërfilljes së kërkesave të ShBA-së për veriun.