Përgatiti: Kastriot Tahiri
Mësimin e përfunduan të premten e javës së kaluar, por maturantët ende nuk e dinë se si do ta përzgjedhin lëndën zgjedhore, në të cilën do t’i testojnë njohuritë e tyre.
Ata nuk u pyetën për këtë njësoj si gjeneratat e kaluara.
“Deri më tani nxënësit ende nuk kanë arritë me u regjistruar. Ende nuk është hapë platforma, momentin që hapet besoj që do të jetë edhe e drejta e aplikimit në lëndën zgjedhore për lëndën që ata duan të testohen”, tha drejtoresha e Gjimnazit Matematikor, Fahrije Retkoceri.
Për këtë çështje, por edhe për mënyrën se si do të aplikohet dhe të paraqitet testi i maturës, sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat do të njoftohen këtë javë.
“Nesër kemi takim me koordinator të DKA-ve, e gjatë javës do të takohemi edhe me koordinatorët e shkollave. Platforma është në finalizim dhe të hënën do të bëhet aktive”, tha Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim.
Udhëheqësi i divizionit për vlerësim, standarde dhe monitorim të këtij procesi, Fatmir Elezi, tha se me qëllim të shmangies së kopjimit nxënësit e të njëjtës klasë do të shpërndahen në klasë të ndryshme.
Por, shpërndarja, sipas njohësit të arsimit, Argjend Osmani, nuk është mënyra më e mirë për t’iu shmangur kopjimit.
“Kopjimi nuk lidhet me aplikimin, por me vetëmenaxhimin brenda klasës. Të rinjtë tanë janë mjaft të përgatitur për përdorim të aplikimit, por problemi qëndron te sistemi dhe vonshmëria që po shkaktohet në platformën e-Kosova”, tha Osmani.
Edhe këtë vit testimi i njohurive të nxënësve do të jetë i ndarë në dy faza. Faza e parë do të mbahet më 25 qershor, ndërsa e dyta më 28.
Këtë vit testit të maturës do t’i nënshtrohen 25 mijë maturantë, 23 mijë të rregullt e afër 2 mijë të viteve paraprake.