Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Kampionatit Europian U-21 2027, një grup pune i UEFA-s zhvilloi një vizitë inspektuese në Shqipëri në datat 8–12 shtator.
Qëllimi i kësaj vizite ishte vlerësimi i infrastrukturës që do të përdoret gjatë turneut, përfshirë stadiumet, terrenet stërvitore dhe objektet akomoduese për ekipet pjesëmarrëse. Të shoqëruar nga përfaqësues të FSHF-së, zyrtarët e UEFA-s inspektuan stadiumet që do të mirëpresin këtë ngjarje të rëndësishme sportive.
Vlerësimi i përgjithshëm i inspektorëve të UEFA-s ishte pozitiv. Gjatë vizitës u inspektuan gjithashtu 28 hotele dhe 21 qendra stërvitore, të cilat do të konsiderohen për përfshirje në katalogun zyrtar të “Team Base Camp”-eve që do t’u ofrohet skuadrave finaliste.
Vizita e radhës e UEFA-s është planifikuar për marsin e vitit 2026, me qëllim monitorimin e progresit të përgatitjeve.
Vendimi për të përfshirë Shqipërinë si një nga vendet organizatore të Kampionatit Europian U-21 2027 u mor nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në shkurt të këtij viti. Turneu do të zhvillohet në qershor 2027 dhe do të përfshijë 16 ekipe, duke sjellë në Shqipëri disa nga talentet më premtuese të futbollit europian. /ATVLIVE.TV