Përgatiti: Fitim Majkovci
Ka përfunduar dëshmia e Frederick Abrahams, para Gjykatës Speciale në çështjen ‘’Thaçi & të tjerët’’.
Zyrtari i organizatës ‘’Human Rights Watch’’, u konfrontua nga mbrojtja për raportimet e pakonfirmuara të organizatës rreth ndalimit të dy gazetarëve serbë nga UÇK-ja.
Pos pohimit se informacionin e kishin marrë nga mediumi serb ‘’Tanjug’’, Abrahams, para mbrojtjes foli edhe rreth dy takimeve të tij me Thaçin në periudhat 98/99.
Ndonëse, Thaçi e kishte njoftuar Abrahamsin për krijimin e strukturave civile, sipas mbrojtjes, kështu nuk ishte raportuar nga organizata.
‘’Jemi në një situatë që është bërë një gjykim, kur këta persona as nuk ishin ndaluar ende, dhe kjo është bërë nga gjykata ushtarake, sipas njoftimit për shtyp, apo kësaj komunikate tuaj, kjo ka qenë njësi ushtarake. Ndërkohë, Thaçi ju flet juve për strukturat civile dhe se kërkohej kohë që të krijoheshin ato. Për ju, a ishte e qartë para, gjatë apo pas situatës, se askush nuk e kishte të qartë çfarë po ndodhte?’’, tha avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.
“Kemi dy pjesë mohuese, nuk e kisha të qartë, unë po merrja informacione, po botoja materiale që na jepnin, unë nuk mund të them nëse dokumentet janë të sakta. Unë këtë nuk e di, nuk mund të them, tani në dëshminë time që janë’, tha Abrahams.
Pas pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet shtesë nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, lidhur me komunikatën për ndalimin e dy gazetarëve.
“A është e vërtetë që ju nuk keni pasur asnjë dëshmi të pavarur dhe as nuk gjetët ndonjë dëshmi që vërtetonte ekzistencën e një drejtorie juridike, apo gjykate ushtarake apo prokurorësh ushtarakë, në shtator, tetor, nëntor 1999?
A mendoni ju se ky është një shembull tjetër, kur UÇK-ja pretendonte se ekzistonin struktura që në fakt nuk ekzistonin në të vërtetë?!”, tha Emmerson.
“Informacionin e kemi bazuar në atë çfarë na thanë. Por, nuk më kujtohet, edhe mund të ketë qenë kështu”, tha Abrahams.
Pas përfundimit të dëshmisë së Abrahams, seanca ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së me kodin 3827, i cili u paraqit përmes video-lidhjes.