Tirana është bërë mikpritëse e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të futbollit evropian, pasi në kryeqytetin shqiptar po zhvillohet mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Kjo është hera e parë që një takim i tillë mbahet në Shqipëri, duke shënuar një moment historik për futbollin shqiptar.
Të mërkurën, në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit mbërriti Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, i cili u prit nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
“Pata kënaqësinë të pres në Tiranë mikun tim, Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, i cili mbërriti me rastin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë”, u shpreh Duka.
Ky është një tjetër tregues i vlerësimit dhe besimit që UEFA ka ndaj Shqipërisë dhe zhvillimit të futbollit në vend.
Mbledhja do të mbahet sot, nga ora 14:00 deri në 17:00, dhe përpara saj, Presidenti Čeferin, Presidenti Duka, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe përfaqësues të federatave evropiane do të marrin pjesë në një festival futbolli për fëmijë, që do të organizohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. /ATVLIVE.TV