Kryetari i partisë “Guxo”, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria aktuale ka arritur të shtrijë sovranitetin në çdo cep të territorit të Kosovës.
Ai tha se, përtej çështjeve zgjedhore, arritja më e rëndësishme është vendosja e kontrollit shtetëror në të gjithë territorin, pavarësisht kritikave të opozitës.
“Për mua është e rëndësishme më shumë se sa një proces zgjedhor dhe më shumë se sa kush do të jetë në qeveri, është për shkak se kjo Qeveri ka arritë që të shtrijë sovranitetin në çdo cep të territorit të Kosovës”, tha Faton Peci.
Ai shtoi se disa oponentë të opozitës kanë dërguar mesazhe që e barazojnë ndërhyrjen e policisë së Kosovës në veri me regjimin e Millosheviqit dhe Rankoviqit, duke mohuar gjithashtu rëndësinë e sulmit në Banjskë.
“Oponentë shumë të rëndësishëm të opozitës kanë përçua mesazhe të qarta. Mesazhet e qarta të opozitës kanë qenë që sjellja e policisë së Kosovës i ngjason asaj policie të Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90 ose ka pasur të tillë që e kanë krahasu këtë qeverisje me imponimin e rendit të ligjit dhe ligjshmërisë në veri, si sjellësi kështu në periudhën e Rankoviqit, ose ka pasur edhe të tilla që sulmin në Banjskë nuk e kanë cilësu si akt terrorist, do të thotë, me fjalë tjera, me përkthye përtej kësaj, edhe vrasjen e heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, nuk e kanë vlerësu si akt kriminal”, tha Peci.
Deklaratën e plotë të Faton Pecit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: