Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka ashpërsuar retorikën ndaj mediave, duke kërkuar dënim me burg nga tre deri në pesë vite për gazetarët, të cilët sipas tij “kanë ndikuar dhe devijuar vullnetin e qytetarëve në ditën e zgjedhjeve”.
Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi ndaj tij ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), pas një postimi që është cilësuar si sulm dhe linçim publik ndaj gazetarëve kosovarë.
Ish-ministri i Bujqësisë ka shkuar edhe më tej, duke i cilësuar disa gazetarë si “të përfshirë në një organizim kriminal”, që sipas tij ka nisur qysh një vit më parë dhe ka kulmuar gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Kemi të bëjmë me një organizim kriminal. Mos harroni, me organizu ‘exit poll’, me bërë fushatë sistematike të linçimit publik, me shkrime shpifëse e debate të rrejshme. Nga analizat e Vetëvendosjes, 70 për qind e shkrimeve negative në nivel vendi kanë qenë kundër meje, ndonëse unë jam opozitë në Mitrovicë. Si është e mundur kjo?”, ka deklaruar Peci.
Ai ka akuzuar disa gazetarë për publikimin e rezultateve të exit poll-it në orët e para të mëngjesit të ditës së zgjedhjeve, duke pretenduar se përmes tyre është ndikuar perceptimi publik për rezultatin.
“Ata që publikojnë rezultate të pavërteta ditën e zgjedhjeve dhe e thyejnë heshtjen zgjedhore, duhet të ndëshkohen me 3 deri në 5 vite burg. Kjo është devijim i vullnetit të qytetarëve dhe konsumim i veprave penale”, ka shtuar ai.
Peci ka përmendur edhe emra konkretë të gazetarëve, ndaj të cilëve ka paralajmëruar kallëzim penal, duke i quajtur disa prej tyre “kriminelë, e jo gazetarë”.







