PËRGATITI: ARTON HAMITI
Partia Demokratike e Kosovës është duke e shqyrtuar mundësinë që edhe Ligjin për Institutin për krime lufte ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Për partinë më të madhe opozitare ky ligj është në dëm të interesit kombëtar. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nëse nuk dërgohet ne Kushtetuese, brenda gjashtë muajve do të procedohen aktet nënligjore.
Nismat e Qeverisë Kurti, që përfundojnë në Gjykatë Kushtetuese nuk janë të pakta. Fat të njëjtë, mund të ketë edhe Ligji për Institutin për krime lufte.
Ketë mundësi është duke e shqyrtuar partia më e madhe opozitare.
“Ndërkohë që për Projektligjin për Institutin për Hetimin e Krimeve të Luftës, ne jemi duke e analizuar në tërësi se si t’i qasemi dhe cila pjesë do të jetë objekt trajtimi në mënyrë që ta dimë saktësisht se në çfarë forme do ta adresojmë dhe do ta parandalojmë një ligj, i cili në fakt është në dëm të interesit shtetëror dhe kombëtar të Republikës së Kosovës”
Shqetësuese po vlerësohet edhe periudha kohore që ky institut do ta mbulojë, e që përfshinw fazën deri me 31 dhjetor te vitit 2000. Megjithatë, për ministren e Drejtësisë deklarata të tilla janë manipulim politik.
“Manipuloi publikisht sepse theksoi që qeveria e ka përkufizuar periudhën e luftës nga janari 1998 deri në dhjetor 2000. Kjo është e pavërtetë, ju lutem që t’i referoheni gjithnjë ligjit që është votuar në Kuvend, në lexim të dytë. Sepse ne kemi bërë një adresim të rëndësishëm, ku periudha e luftës konsiderohet janar 1998 deri më 20 qershor 1999. Dhe në anën tjetër kemi konsideruar që instituti po ashtu mund të merret edhe me krimet të cilat kanë ndodhur para luftës dhe që ndërlidhen me luftën”
Ndërkaq, fakti që ky institut do të jetë nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit, vazhdon tw kritikohet.
“Ky është instituti hulumtues, shkencor. Për këtë arsyeje mendoj që nuk duhet të jetë në Zyrën e Kryeministrit për shkak se mund të ketë implikime, ndikime politike për shkak se pas 1 viti, 2 vitesh ndërrohet kryeministri dhe bën ndonjë politikë tjetër aty, kështu që ky duhet të jetë autonom”
Ndryshe, sipas ministres Haxhiu, brenda gjashtë muajve do të procedohen aktet nënligjore për themelimin e Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë, nëse nuk dërgohet ne Kushtetuese.
Pa saktësuar, Haxhiu tha se shumë shpejt do të bëhet edhe përzgjedhja e drejtorit dhe stafit mbështetës.