Kandidatët e PDK-së nëpër komunat e vendit po vazhdojnë fushatën zgjedhore me premtime konkrete, duke vënë në qendër investimet në infrastrukturë, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien qytetare.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismajli, ka prezantuar projektin për lagjen “Bregu i Diellit”, duke theksuar nevojën për jetë urbane dinamike dhe moderne.
Në Mitrovicë, Arian Tahiri premton tregun e ri të qytetit dhe iniciativën “Made in Mitrovica”, që synon të mbështesë bizneset dhe prodhuesit lokalë.
Në Istog, Ali Nimanaj e cilësoi “Banjën e Pejës” si pasuri të Istogut dhe u zotua për përkrahje për bizneset që sjellin zhvillim lokal.
Shukri Buja në Lipjan prezantoi një program të plotë për bujqësi moderne, me subvencione, rrugë rurale, trajnime dhe grante për të rinjtë, për të kthyer bujqësinë në një sektor të qëndrueshëm e konkurrues.
Në Pejë, Arta Nallabani premton mbështetje për fabrikat vendore, krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë për një ekonomi më të fortë.
Në Podujevë, Isak Shabani kritikoi pushtetin lokal për mungesën e ndriçimit në lagjet e Podujevës duke kërkuar ndriçim të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, jo vetëm për fushata.
Ndërsa në Vushtrri, Ferit Idrizi është zotuar për mbështetje më të madhe për tregun dhe për tregtarët, duke kërkuar një mandat të ri me synimin për zhvillim më të mirë lokal.
Në Viti, kandidati Bekim Azizi u zotua për arsim cilësor, digjitalizim të shërbimeve komunale, bujqësi moderne dhe zhvillim ekonomik lokal me fokus te rinia dhe gratë si forcë ndryshimi.