Pas nominimit të Glauk Konjufcës për mandatar të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, ish-kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nëse qeveria e re formohet, ai do të marrë pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme.
Këtë e ka konfirmuar vetë Kurti gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kabineti do të vazhdojë me të njëjtin përbërje që unë kam propozuar, ndërsa unë vetë marr vendin e Glaukut dhe Glauk Konjufca merr vendin tim”, tha Kurti.
Ky zhvillim vjen pas vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si mandatar për formimin e qeverisë së re – një veprim që, sipas partisë, synon stabilitet institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.
Në fjalën e tij, Konjufca ka theksuar se prioritetet e kabinetit të ardhshëm do të jenë ruajtja e stabilitetit politik, zbatimi i buxhetit dhe përkushtimi ndaj interesit publik.


                                    
    




