Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka pezulluar nga puna tre zyrtarë komunalë të cilët u arrestuan dje për marrje ryshfeti.
Rama ka thënë se pezullimi nga puna të zyrtarëve komunalë do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore.
Ai ka thënë se institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe do të ndërmerrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin.
“Njoftoj opinioni publik se, sot, kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre! Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që Kryeqyteti rithekson përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit. Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin. Kryeqyteti mbetet i përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Askush mbi ligjin!”, ka thënë ai.






