Elton Ilirjani ka ngritur shqetësimin për gjendjen e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, duke paralajmëruar se ajo mund të përballet sërish me pasiguri dhe mungesë strehimi nëse nuk ndërhyhet urgjentisht.
Sipas Ilirjanit, situata e artistes nuk ka pësuar asnjë përmirësim gjatë 11 muajve të fundit, ndërsa ajo nuk po merr trajtimin dhe mbështetjen e nevojshme për të përballuar sfidat shëndetësore dhe sociale.
“Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet aty ku ishte, e pastrehë! Situata e saj është shumë e vështirë. Nuk ka marrë asnjë përmirësim, nuk merr trajtim mjekësor, doli nga spitali dhe nuk është mirë. Një person që rri gjithë ditën në shtëpi humbet motivimin,” deklaroi Ilirjani, duke shtuar se ndihmat e rastësishme nuk janë të mjaftueshme.
Ai i bëri thirrje shtetit shqiptar për ndërhyrje institucionale dhe mbështetje konkrete për artisten, e cila sipas tij ka nevojë për ndihmë reale dhe të qëndrueshme.
“Ajo ka nevojë për mbështetje që i mundëson të bëjë letrat, të marrë ID-në amerikane dhe shqiptare, si dhe trajtim mjekësor. Ndihma e shtetit është jetike në këtë rast,” shtoi Ilirjani.
Ai përmendi gjithashtu ndihmën e deritanishme të disa individëve, përfshirë Kadri Morinën, i cili ka mbuluar shpenzimet e saj deri në janar. Por pa ndërhyrje të mëtejshme, paralajmëroi Ilirjani, Simaku rrezikon të përballet sërish me të njëjtat probleme të strehimit si më parë.







