Papa Leoni XIV ka dërguar një mesazh të qartë kundër luftërave, në përfundim të takimit ndërfetar të Shën Egjidit, të mbajtur në Koloseumin e Romës.
“Lufta nuk është kurrë e shenjtë, e shenjtë është vetëm paqja”, tha Ati i Shenjtë, duke theksuar se bota është e lodhur nga konfliktet dhe përçarjet.
“Bota ka etje për paqe: ka nevojë për një epokë të vërtetë dhe të fortë pajtimi, një epokë që i jep fund shtypjes, tregimit të forcës dhe indiferencës ndaj drejtësisë. Mjaft luftërave, me numrin e tyre të dhimbshëm të vdekjeve, shkatërrimit dhe mërgimit. Lutja është një forcë e madhe për pajtim. Ata që nuk luten abuzojnë me fenë, duke mbërritur deri tek vrasja. Jo më me thirrje e slogane të përdorura kundër krijesave të Zotit. Ne kemi besim se lutja ndryshon historinë e popujve”, deklaroi Papa Leoni XIV.
Në ceremoninë ku morën pjesë udhëheqës të feve të ndryshme të krishtera, Papa kujtoi fjalët e paraardhësit të tij, Papa Françeskut, duke i bërë thirrje komuniteteve fetare dhe liderëve politikë të heqin dorë nga përdorimi i fesë për qëllime përçarëse.
“Ne duhet t’u heqim feve tundimin për t’u bërë instrumente që nxisin nacionalizmin, ndarjen etnike dhe populizmin. T’i japin fund luftërave, kjo është detyrë e të gjithë politikanëve. Zoti do t’i mbajë përgjegjës ata që nuk kanë kërkuar paqe ose kanë nxitur tensione dhe konflikte”, theksoi ai.







