Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar atë për “thirrje të pamatura për luftë” dhe për përpjekje për të rikthyer politikën shkatërruese të viteve ’90 në rajon.
Në një postim të publikuar në platformën X, Presidenca shkruan se “thirrjet e pamatura të Vuçiqit për luftë janë një jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së fundit”.
Përkundër përpjekjeve të pandalshme të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të ndërtuar paqen në Ballkan, sipas Presidencës, “Vuçiq po i tregon botës se nuk ka zgjedhur rrugën e pajtimit”.
“Pavarësisht viteve të përpjekjeve të palodhura nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa për të hapur rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme, Vuçiq po i tregon botës se nuk e ka zgjedhur rrugën e pajtimit. Në vend që ta kthejë faqen, Vuçiq dhe regjimi i tij po flirtojnë sërish me të njëjtat fantazi shkatërrimtare që dikur lanë pas vetes një mori jetësh të pafajshme të humbura”, thuhet në reagim.
Presidenca ka përmendur edhe të kaluarën e errët të udhëheqësit serb gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
“Në vitet 1990, Sllobodan Millosheviqi zgjodhi luftën gjenocidale si mjetin e tij të fundit të dëshpëruar për të ruajtur pushtetin. Ai shkaktoi dhunë çnjerëzore në Kroaci, në Bosnje dhe Hercegovinë dhe, në fund, në Kosovë, të gjitha të dokumentuara me kujdes përpara syve të botës. Përmes makinerisë së tij propagandistike, me Vuçiqin si shef propagande, ai nxiste urrejtjen që çoi në vrasje sistematike, varreza masive, shkatërrim dhe izolimin më të thellë të Serbisë. Pushteti i tij përfundoi me turp: u rrëzua nga vetë populli i tij, u gjykua si kriminel lufte dhe mbahet mend si njeriu që e çoi kombin e tij në shkatërrim – dhe si kasapi i Ballkanit,” përkujton Presidenca.
Në vijim të reagimit, theksohet se “Vuçiq duket se beson se mund të ringjallë të njëjtën formulë të helmatisur: nxitjen e konfliktit, lojën me jetët e njerëzve dhe shpresën se gjakderdhja do ta mbajë në pushtet”.
Por sipas Presidencës, “historia është e qartë dhe e pamëshirshme. Milosheviqi dështoi — dhe do të dështojë edhe Vuçiq”.
Duke përfunduar deklaratën, në reagim theksohet se për dallim nga Serbia, “Kosova ka zgjedhur paqen. Paqen që do ta mbrojmë me çdo kusht”.
Vucic’s reckless calls for war are a dangerous echo of the darkest chapters of recent history.
Despite years of tireless American and European engagement to pave the road toward lasting peace, Vucic is showing the world that he has not chosen the path of reconciliation. Instead… pic.twitter.com/fxNb4McHpd
— The Presidency of the Republic of Kosovo (@Presidenca_RKS) October 4, 2025