Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se humbja e dy qytetarëve si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë, tronditi të gjithë Kosovën.
Osmani potencoi se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe të gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë, duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre.
“I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike.”, shkroi Osmani në Facebook.
Një grua dhe djali i saj, 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur.