Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për viktimat e luftës së fundit gjatë vizitës në ekspozitën “E vërteta, kujtesa, drejtësia”.
Ajo theksoi se, fatkeqësisht, në çdo konflikt më së shumti preken ata që janë më të pambrojturit: gratë, të moshuarit dhe veçanërisht fëmijët.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Osmani kujtoi rëndësinë e kësaj date, që simbolizon dinjitetin dhe barazinë universale.
Ajo përmendi 10 dhjetorin e vitit 1948, kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe u formësua juridikisht e drejta për të jetuar, duke theksuar se çdo jetë njerëzore ka vlerë dhe meriton të mbrohet, ndërsa citoi edhe sloganin e asaj kohe: “Kurrë më!”.
“Fatkeqësisht, shprehja ‘Kurrë më’ mbeti veç slogan, për shkak se ajo që njerëzimi e pa gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një masë u përsërit edhe në rajonin tonë në vitet ’90-ta”, tha presidentja, duke shtuar se edhe sot bota përballet me fatkeqësi, dhunë dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut.
Osmani theksoi se populli i Kosovës e di shumë mirë çfarë nënkupton kjo: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i ushtruar nga regjimi i Millosheviqit shkaktuan dhimbje të thella që nuk do të shuhet kurrë.
“Mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, mijëra gra e burra të dhunuar, mijëra persona të zhdukur me dhunë që ende u mungojnë familjeve dhe gjithë Kosovës. Dhimbja e tyre nuk njeh kohë, është një plagë e hapur, plagë e gjallë, plagë që kullon çdo ditë dhe kërkon drejtësi”, theksoi Osmani.
Presidentja përmendi edhe vuajtjet e Nënës Ferdonije, e cila humbi të gjithë anëtarët e familjes së saj gjatë luftës së fundit, përfshirë djemtë dhe burrin, si dhe vuajtjet e shumë të tjerëve që kanë pësuar rëndë nga konflikti.






