Osmani: Fillimisht sanksione ndaj Serbisë, pastaj dialogojmë

Përgatiti: Fatlum Jashari

Sanksione ndaj Serbisë për agresion ndaj Kosovës më 24 Shtator, para gjithçkaje tjetër, kërkoi presidentja Vjosa Osmani në samitin e Komunitetit Politik Evropian, në Granada të Spanjës.

Teksa vlerësoi se sanksionet do ta mbronin paqen dhe stabilitetin, presidentja Osmani theksoi nuk ka asnjë arsye të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vucic, pa sanksionimin paraprak të Serbisë.

“Këto janë kohëra të vështira për tërë kontinentin evropian, veçanërisht për vendin tim, pasi së fundmi u përballëm me një akt agresioni nga Serbia, i cili u krye përmes grupeve terroriste dhe paramilitare. Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve evropianë për ta sanksionuar Serbinë, në mënyrë që ajo të mos inkurajohet dhe të marrë guxim për të kryer akte të tilla agresioni ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë sërish e sërish”, tha Osmani.
Krahas kësaj, presidentja kërkoi garanci të sigurisë për Kosovën dhe ndryshim të qasjes së perëndimit ndaj Vucicit, të cilin e bëri përgjegjës për agresion përmes sulmit terrorist në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

“Për çfarë të takohemi? Do të bënte, sikur nuk përballesh me një agresor që ka kryer një akt agresioni, një akt terrorist, vetëm një javë më parë. Besoj që fatkeqësisht bisedimet për normalizim, në vend se për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë keqpërdorur nga Vucici për të normalizuar fytyrën e tij para bashkësisë ndërkombëtare – i cili nuk ka kërkuar ende falje për krimet e kryera në vitet e ‘90-ta, kur ishte ministër i Propagandës i Milloshevicit, i cili ende mohon gjenocidin, i cili teksa po flasim ka baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën, sepse duan ta marrin territorin e Kosovës. Nuk duhet ta lejojmë atë të ketë një fotografi të mirë nga këtu, që të mund të vazhdojmë njësoj. Ky nuk është biznes i zakonshëm, sepse 25 shtatori ka ndodhur, askush nuk duhet t’i japë atij mundësinë të duket si lider evropian normal, sepse ai është një agresor”, tha Osmani.

Në një adresim në mëngjes, para deklaratës së presidentes Osmani, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, tha se shpresoi në diskutime me të dhe presidentin serb.

“Takimet bëhen për t’i lehtësuar tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe presidenti Vucic, po ashtu. Në Kishinau ne u ulëm së bashku, diskutuam për këtë dhe sot do të bëjmë të njëjtën. Por, situata është shumë më e keqe sot sesa kur ishim në Kishinau”, tha Borrell.

Për Kosovën dhe Serbinë foli shkurt edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili përdori termin konflikt.

“Besoj sinqerisht se kjo platformë e Komunitetit Politik mund dhe do të duhej, të luante një rol të rëndësishëm në zbutjen e konflikteve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e tyre, me theks në Kaukazin Jugor dhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sepse konfliktet nuk janë problem vetëm i atyre që janë të përfshirë direkt, por për të gjithë rajonin dhe kontinentin”, tha Michel.

Në adresimin e saj, presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë e ndërsjellë të njohjes eventuale nga Spanja.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic nuk u ndal para gazetarëve duke shmangur pyetjet e tyre.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA