3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

OShP flet për tenderin për insulinat, sot shqyrtohet shkarkimi i anëtares së Bordit

Tenderi për insulinat i kritikuar nga kryeministri Albin Kurti, sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) është vendim i atakuar nga vet Ministria e Shëndetësisë, pasi sipas këtij organi i njëjti është vërtetuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe nga Gjykata e Apelit e Kosovës.

Kështu sipas OShP-së, vendimi për insulinat, në rastin konkret i ka tiparet e një akti të plotfuqishëm si rezultat i juridiksionit gjyqësor, kurse efektet juridike të tij kanë efekt detyrues, jo për shkak të OSHP, por për shkak të legjislacionit në fuqi.

Nga OSHP në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë po ashtu se vazhdimisht, deri më tani, ky Bord ka ruajtur dhe do ta ruajë pavarësinë e plotë në ushtrimin e funksioneve parësore të tij.

Pas kritikave të kryeministrit Albin Kurti dhe kërkesës së tij për shkarkimin e anëtares së Bordit të OShP-së, Kimete Gashi, në një përgjigje për KosovaPress nga OShP-ja kanë thënë se Qeveria e Kosovës, sikurse që ka të drejtë ta iniciojë procedurën e emërimit të anëtareve të Bordit të OSHP, ka të drejtë ta iniciojë po ashtu edhe procedurën e shkarkimit.

Sipas tyre, kjo është çështje e cila i takon pikëpamjeve, gjykimeve dhe fushëveprimit të saj si ekzekutiv.

Përkitazi me këtë, sot në Komisionin parlamentar për Buxhet do të shqyrtohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e Kimete Gashi, anëtare e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

OShP jep më tej sqarime për KosovaPress lidhur me tenderin për insulina.

“OSHP apriori nuk i komenton deklaratat e Kryeministrit, sepse natyrisht ato i referohen mendimit të Tij. Mirëpo në këtë kontekst, OSHP e ndjen si një detyrim etik dhe profesional që për hire të opinionit ta shpjegoj ketë rast një fakt parimor. Ju kujtojmë se çdo akt përfundimtar i organeve të administratës shtetërore, i nënshtrohet direkt kontrollit gjyqësor mbi ligjshmërinë e tyre. Vendimi për Insulinat është atakuar nga vet Ministria e Shëndetësisë, kurse është vërtetuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe nga Gjykata e Apelit e Kosovës (gjithsej 6 vendime nga gjykatat) do të thotë se vendimi në rastin konkret i ka tiparet e një akti të plotfuqishëm si rezultat i juridiksionit gjyqësor, kurse efektet juridike të tij kanë efekt detyrues, jo për shkak të OSHP, por për shkak të legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

OShP-ja konsideron po ashtu se nuk ka nevojë të komentojë as vendimet e Qeverisë, as iniciativat apo iniciativën e ndonjë organizate joqeveritare sa i përket inicimit për shkarkimin e anëtares së Bordit, Kimete Gashi.

“Qeveria e Kosovës, sikurse që ka të drejtë ta inicioj procedurën e emërimit të anëtareve të Bordit të OSHP, ka të drejtë ta inicioj po ashtu edhe procedurën e shkarkimit. Kjo është çështje e cila i takon pikëpamjeve, gjykimeve dhe fushëveprimit të sajë si ekzekutiv, kurse OSHP konsideron se nuk ka nevojë ti komentoj as vendimet e Qeverisë, as iniciativat apo iniciativën e ndonjë organizate jo qeveritare. Në fakt, kontrolli për ligjshmërinë e punës, të veprimeve dhe vendimeve të këtij Organi, bije nën juridiksionin e drejtë për drejtë të organeve gjyqësore, të cilat deri më tani kanë vërtetuar pjesën dërmuese të vendimeve të këtij Institucioni. Përderisa, procesi i raportimit për rezultatet lidhur me arritjen e qëllimeve dhe/ose misionit të OSHP, natyrisht i takon Parlamentit të Kosovës. Dhe në secilin rast, nga cili do autoritet i cituar si më sipër, OSHP i respekton vendimet, vërejtjet dhe udhëzimet lidhur me ushtrimin e kompetencave të saja. Megjithatë, krahas fakteve dhe rrethanave të shpjeguara shkurtimisht si më sipër, duhet theksuar se ky Bord, në ketë përbërje, pothuajse që nga data e emërimit të tij vazhdimisht është përballur me një vëllim të konsiderueshëm të obligimeve, posaçërisht në procesin e vendimmarrjes. Por vazhdimisht, deri më tani, ky Bord ka ruajtur dhe do ta ruaj pavarësinë e plotë në ushtrimin e funksioneve parësore të tij”, thuhet në përgjigjen e OShP-së për KosovaPress.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë, të mërkurën e kaluar, Qeveria ka propozuar shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, Kimete Gashi, për shkak se si kryetare e Panelit për rastin e një tenderi të insulinave, votoi për kontraktimin e tyre pa garancitë e kompanisë për cilësinë e barit.

Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se institucioni që ai e drejton ndodhet nën presion për nënshkrimin e jashtëligjshëm të këtij tenderi.

Kurse, nga Shoqëria Civile kishin deklaruar se nuk duhet iniciuar shkarkimi vetëm i Kimete Gashi, por edhe i anëtarëve të tjerë që votuan për këtë vendim

Anëtarja e Bordit të OShP-së, Kimete Gashi, që në vitin e kaluar është rekomanduar për këtë pozitë nga Qeveria Kurti, rrezikon që të shkarkohet me propozim të po kësaj qeverie.

Shkarkimi i Gashit mund të bëhet nga Kuvendi i Kosovës pas procedimit të vendimit nga Komisioni për Buxhet, që sot e ka në rend dite për shqyrtim.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA