0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Opozita do t’i drejtohet Kushtetueses për vlerësim nëse dakordohet draftstatuti i Asociacionit

Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi i parë që nga marrëveshja për aneksin e zbatimit në Ohër në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuciq, ku njëra nga pikat e diskutimit do të jetë draftstatuti i Asociacionit. Njohës të çështjeve thonë se dakordimi mes dy palëve mund të arrihet vetëm nëse ndërmjetësuesit dalin me një propozim të tyre. Opozita ka paralajmëruar se draftin për AKS-në do ta dërgojë në Kushtetuese.

Dy ditë para takimit Kurti-Vuçiq, që pritet të mbahet në Bruksel ku pritet të diskutohet për draftstatutin e Asociacionit dhe çështjen e të pagjeturve, njohës të çështjeve thonë se dakordimi mes dy palëve për këtë draft mund të arrihet vetëm në rast se ndërmjetësuesit propozojnë diçka të obligueshme.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thotë se nëse ndërmjetësuesit nuk propozojnë një draftstatut që i obligon të dyja palët për dakordim, nuk pritet pajtim mes palëve.

“Sigurisht që kryeministri Kurti do të propozojë një draftstatut me kompetenca shumë të zbehta të asociacionit. Ndërkohë që presidenti Vuciq do të propozojë një draftstatut që do të jetë i barabartë me Republika Srpska dhe këtu ka një hapësirë shumë të madhe që kompromisi mund të jetë shumë i largët dhe gati i pamundur, në rast se ndërmjetësuesit nuk do të propozojnë një variant të tyre, i cili do të jetë në formën merre ose lëre”, ka thënë Spahiu.

Por opozita thotë se çfarëdo draftstatuti për Asociacionin para miratimit nga Qeveria, fillimisht duhet të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk duhet si e tillë marrëveshja e Ohrit të kalojë sepse sikur po ndërton një rend paralel kushtetues në Kosovë e që është e papranueshme dhe tash meqenëse kemi ardhë në këtë fazë, na ka futur në këtë cikël, ky kryeministër, detyrimi për të është që të përfundojë kjo çështje në Gjykatë Kushtetuese si draft, si dokument në momentin kur ka një pëlqim apriori prej dy palëve pa Gjykatën Kushtetuese, unë mendoj që pasojat për Kosovën mund të jenë shumë të mëdha”, ka thënë Driton Selmanaj, deputet i LDK-së.

E shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Kurti, Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.

“Në këto parime në të cilat assesi nuk ka kompetencë ekzekutive, assesi nuk ka ndërhyrje në sistemin kushtetues dhe rendin kushtetues të Kosovës, ndërtohet një draft në bazë të cilit diskutohet. Tash ne veç kemi filluar t’i dëgjojmë deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq në raport me këto parime dhe në raport me këtë qasje e cila është e mbështetur nga të gjithë, përveç atij duket apo përveç palës serbe”, ka thçnç Kusari-Lila.

Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq të martën në Bruksel, ku nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se në takimin e dy palëve do të miratohet deklarata për të pagjeturit dhe do të nisin diskutimet për propozimin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje bazë në Bruksel më 27 shkurt, ndërkaq janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA