Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës (LSV) vlerëson se Serbia nuk guxon të bëhet bashkëpunëtore e diktaturave, andaj kërkon nga presidenti Aleksandar Vuçiq të përgjigjet nëse është dakord me takimet e zëvendëskryeministrit Aleksandar Vulin me përfaqësues të shërbimeve të sigurisë ruse dhe bjelloruse.
“Pas ekskursionit rus, Vulin, këto ditë qëndroi në Bjellorusi dhe u takua me drejtorin e shërbimit të sigurisë bjelloruse. Në atë takim u ra dakord për bashkëpunim në fusha të ndryshme, ndër të cilat është edhe trajnimi i përbashkët i policisë së Serbisë dhe Bjellorusisë”, ka thënë anëtari i Kryesisë së LSV-së, Aleksandar Olenik në një komunikatë për media.
Sipas Olenik, bashkëpunimi me regjimin diktatorial të Aleksandar Lukashenko dhe aparatin e tij policor vetëm sa e dëmton imazhin e Serbisë.
“Ne kërkojmë përgjigje urgjente nga Aleksandar Vuçiq, sepse veprime të tilla të autoriteteve janë jashtëzakonisht të dëmshme për vendin dhe shtrojmë pyetjen nëse policia bjelloruse do t’i trajnojë kolegët e saj në Serbi me metodat e ashpra që aplikojnë në Bjellorusi”, tha Olenik.