Prezenca e këtij objekti po i shqetëson banorët e fshatit Cërmjan të Gjakovës.
Për Hysni Hoxhën, ky objekt, i cili ishte stacion i policisë serbe i sjellë ankth.
Ai i kujton maltretimet që policët serbë i shkaktuan atij dhe banorëve të tjerë të fshatit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Objekti mbrapa meje është me qindra vjet, ka shërby për xhandarmërrinë serbe dhe për m’i kry detyrat e Serbisë kundër popullit shqiptar. N’luftën e fundit neve këtu na kanë maltretu në këtë objekt, me qindra njerëz i kanë marr, i kanë rreh, i kanë maltretu, i kan myt edhe me çekiç”, tha Hysni Hoxha, banor i fshatit Cërmjan.
Hoxha si anëtar i kryesisë së këtij fshati, me pëlqimin e banorëve tha se këtë objekt duan ta shndërrojnë në një objekt për zjarrfikës.
“Jemi në komunikim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Na po dojm me bo në objekt për zjarrfiksa, mas mirti osht kon Ministria me naj bo objekt për zjarrëfikësit, me një objekt të bukur me u zbukuru fshati, se me këtë pamje edhe fëmija po frikësohen, sepse në këtë objekt kanë vdek shumë njerzë”, tha Hoxha.
Kryetari i Këshillit lokal në këtë fshat, Shpend Shala tha se kanë bërë kërkesë në Ministri për rregullimin e objektit, por ata nuk kanë dhënë ende dritën jeshile.
“Osht një pamje me të vërtetë e shëmtume. Kemi bërë kërkesë që me shndërru në objekt të zjarrëfikësve, në mënyrë që t’i rregullohet pamja fshatit”, tha kryetari i Këshillit Lokal në Cërmjan, Shpend Shala.
Lidhur me këtë çështje, ATV-ja ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët përgjegjës në Ministri të Punëve të Brendshme, por askush në këtë institucion nuk është përgjigjur. /atvlive.tv