Heroinë, kokainë, marihuanë e hashash, janë disa nga llojet e drogave që Policia e Kosovës i ka konfiskuar vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti. Krejt këto lloje të drogave që arrijnë sasinë mbi 10 kg, policia ua konfiskoi 373 personave.
Ndërkaq, në vitin 2022 u identifikuan 1066 persona, si përdorues dhe bartës të substancave narkotike.
Kurioziteti, kushtet e dobëta ekonomike e problemet familjare, sipas sociologut Jeton Brajshori, janë disa nga arsyet që shtyjnë të rinjtë të bëhen përdorues të drogës.
“Kushtet jo të mira, informimi jo i duhur, të gjitha këto i shpien drejt përdorimit të drogave, posaçërisht të rinjtë”, tha Brajshori.
Megjithatë, Brajshori vlerëson se institucionet duhet të fokusohen më shumë te parandalimi i këtij fenomeni.
“Institucionet duhet me u marrë më shumë, kanë ende shumë punë deri në eliminimin e rasteve të tilla”, vlerësoi Brajshori.
Por, trajtimi i përdoruesve të drogës në Kosovë, sipas Safet Blakajt nga Qendra “Labirint”, nuk është edhe aq i thjeshtë. Ai vë në pah mungesën e një qendre për rehabilitim afatgjatë dhe të përshtatshëm për këtë kategori shoqërore.
“Duhet patjetër të ketë edhe një institucion që merret me trajtimin e përdoruesve të drogave, për shërbimet ditore, diagnostika të problemit dhe jo vetëm për shtrirjen e tyre, siç është spitali i psikiatrisë”, tha Blakaj.
Sipas organizatës “labirint”, aktualisht në Kosovë, janë rreth 40 mijë përdorues aktivë të drogave. Vetëm në këtë qendër, kanë kërkuar trajtim të thellë 2.850. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: