Në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve midis Eintracht Frankfurtit dhe Liverpoolit, organizatorët bënë një gjest prekës për të nderuar kujtimin e lojtarit të ndjerë Diogo Jota.
Futbollisti portugez, një nga lojtarët më të dashur të Liverpoolit, humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Spanjë në fillim të korrikut, duke tronditur gjithë botën e futbollit.
Mbrëmë, drejtuesit e Eintrachtit u siguruan që Jota të mos harrohej. Gjatë prezantimit të skuadrave, në ekranin gjigant të stadiumit u shfaq formacioni i Liverpoolit me 11 lojtarë rezervë, ndonëse trajneri Arne Slot kishte futur në stol vetëm 10.
Emrat e dhjetë lojtarëve ishin të shkruar me të bardha, ndërsa emri i Jotës dhe numri 20 u paraqitën me ngjyrë dhe stil dallues, si shenjë respekti për ish-sulmuesin e Reds.
Gjatë leximit të formacioneve, spikeri zyrtar i stadiumit ndali për një moment dhe tha me emocion:
“Përgjithmonë numri 20 — Diogo Jota.”
Ky moment u shoqërua me duartrokitje të gjata nga tifozët e të dyja skuadrave.
Në fund, Liverpooli e mbylli ndeshjen me fitore bindëse, duke triumfuar ndaj Eintracht Frankfurt me rezultat 1–5. /ATVLIVE.TV