Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatet preliminare të partive politike në zgjedhjet e 9 shkurtit nga numërimi i të gjitha vendvotimeve.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.80 për qind votash, Partia Demokratike, 22.03 për qind, Lidhja Demokratike ka marrë 17.63 për qind dhe koalicioni AAK – Nisma ka marrë 7.46 për qind.
Në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje do t’I ketë 47 deputetë, PDK-ja, 25 deputetë, LDK-ja 20 deputetë dhe AAK-NISMA, 8 deputetë.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar më së shumti vota tha se do ta formojë Qeverinë e re, ndonëse me rezultatet aktuale, ajo nuk i ka 61 deputetë për miratim të kabinetit të ri qeveritar.
Megjithatë rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.
Ndërkaq sipas rezultateve në mesin e liderëve të partive kryesore që garuan për pozitën e kryeministrit më së shumti vota ka marrë Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje– 259.532 vota. Pas tij renditet Bedri Hamza, nga PDK-ja me 150.294 vota. Në listën e më të votuarve është edhe Memli Krasniqi, lider i Partisë Demokratike të Kosovës me 85.293 vota.
Pas tij renditen Lumir Abdixhiku, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidat për kryeministër – 109.202 vota dhe Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 37.752 vota.
Dalja në zgjedhjet e sivjetme ishte 40 për qind – rreth 8 për qind më e vogël sesa në zgjedhjet e 2021-tës. /atvlive.tv