PËRGATITI: DRITON SADIKU
Dhjetëra protestues shqiptarë, serbë e boshnjakë protestuan sot para objektit të komunës në Mitrovicë të Veriut, për shkak se nuk u kompensuan për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, që ndodhën në janar të këtij viti. Ata u pritën në komunë, por u tha se faji nuk qëndron në Komunë, por te niveli qendror. Kështu protestën thonë se do ta vazhdojnë nesër, dhe derisa të kompensohen për dëmet.
Një hall i vetëm, i bëri bashkë qytetarët e tri etnive, shqiptar, serb e boshnjak, të cilët të organizuar ia zunë derën komunës së Mitrovicës së veriut.
Ata po kërkojnë kompensim për dëmet që iu shkaktuan nga përmbytjet në janar të këtij viti.
Deri tash thonë se nuk kanë marrë asnjë cent, përkundër se dëmet thonë se i kishin të mëdha.
“Nuk kemi as ku të rrimë, as kur të flemë. As Qeveria e as këta në komunë nuk na kanë marrë parasysh. Neve qitu na ka ardhë shpirti, edhe sot e kemi nijet me dal në protestë paqësore, në qoftë se nuk ndërmarrin diçka, ka me qenë krejt tjetër protestë, kemi me blloku rrugën”.
“Kemi dalë me protestu, sepse nga janari ne nuk kemi ku te qëndrojmë e as ku të flemë. Shtëpitë na janë dëmtuar”.
“Prej që na ka marrë uji flemë në qebe e patos, kjo është marre”.
Përreth një orë, këta dhjetëra protestues qëndruan para komunës pa dalë kush të flasë me ta, derisa dikur u ftuan brenda që të bisedojnë.
Por nga aty dolën edhe më të nervozuar.
Kryetari i ri, Erden Atiq, nuk u pa fare jashtë komunës, por një përgjigje lidhur kompensimin e dëmeve nga përmbytjet e dha zëvendëskryesuesi i asamblesë komunale në këtë komunë, Skender Sadiku.
“Ne si asamble i kemi nda diku 300 mijë euro. Është votuar, ka ardhur edhe ekzekutivi dhe besoj që shumë shpejt do të finalizohen dhe besoj që edhe ky do të jetë një presion kushtimisht pozitiv i banorëve, sepse vërtet këta janë në telashe.
Ani pse faji thonë se rëndon mbi qeverinë, protesta do të vazhdojë edhe nesër në të njëjtin vend.