Një funksion i ri po vjen në WhatsApp, do t’ua lehtësojë kërkimin e fotografive dhe videove

WhatsApp po zhvillon një funksion të ri për përdoruesit e iPhone, i cili synon ta bëjë më të lehtë gjetjen e fotografive, videove, lidhjeve dhe dokumenteve të shkëmbyera në biseda.
Bëhet fjalë për funksionin Media Hub, i cili u prezantua vitin e kaluar në versionet e aplikacionit për Mac dhe ueb, ndërsa së fundmi është vërejtur edhe në versionin beta të WhatsApp-it për iOS, me numër 26.42.10.74, raporton B92, duke iu referuar GSMArena-s.
Reklamë
Funksioni i ri do të jetë i qasshëm përmes cilësimeve të aplikacionit dhe do t’i mbledhë në një vend të vetëm materialet mediatike të pranuara në biseda. Megjithatë, ai nuk do të përfshijë fotografitë, videot dhe materialet e tjera të dërguara nga vetë përdoruesit, si dhe mesazhet apo përmbajtjet që zhduken pas një periudhe të caktuar.
Dy seksione për organizimin e materialeve
Media Hub do të përmbajë dy seksione kryesore. Seksioni “New” do të shfaqë materialet e pranuara së fundmi, ndërsa “All media” do t’u mundësojë përdoruesve të shohin të gjitha përmbajtjet e disponueshme.
Përdoruesit do të mund t’i filtrojnë materialet sipas kategorisë, duke i ndarë fotografitë, videot dhe lidhjet. Gjithashtu, do të kenë mundësi të zgjedhin mes paraqitjes në formë liste ose rrjeti, si dhe të veçojnë përmbajtjet që u kanë pëlqyer.
Për secilin material do të jenë të disponueshme disa veprime, përfshirë përcjelljen në një bisedë tjetër, reagimin, shënimin me yll dhe kalimin e drejtpërdrejtë te biseda ku materiali është pranuar fillimisht.
Kërkimi do ta lehtësojë gjetjen e përmbajtjeve
Një nga veçoritë më të dobishme të Media Hub pritet të jetë funksioni i integruar i kërkimit. Ai do të mbështesë kërkimin përmes përshkrimeve të fotografive, videove dhe lidhjeve, duke ua lehtësuar përdoruesve gjetjen e materialeve edhe kur nuk e mbajnë mend se kur i kanë pranuar.
Kjo veçori synon të thjeshtojë qasjen në përmbajtjet e shkëmbyera më herët, pa pasur nevojë që përdoruesit të kërkojnë manualisht nëpër biseda.
Kur pritet të jetë i disponueshëm?
Për momentin, Media Hub është ende në fazën e zhvillimit dhe nuk është i disponueshëm as për testuesit e versionit beta.
Pritet që WhatsApp ta testojë funksionin me një numër të kufizuar përdoruesish në njërin nga përditësimet e ardhshme, përpara se të vendoset për një shpërndarje më të gjerë.
Reklamë












