Në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kandidatja për kryetare në Prizren, Albulena Balaj Halimaj, e shoqëruar nga kryetari i partisë Fatmir Limaj, ka zhvilluar një takim mobilizues në lagjen Kurillë, ku është theksuar mbështetja në rritje për platformën e saj “Përjetë Prizreni”.
Ajo ka theksuar nevojën për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe rural, ruajtje të trashëgimisë kulturore, modernizim të transportit publik, mbështetje për gratë, të rinjtë dhe sipërmarrësit lokalë, si dhe qeverisje transparente e gjithëpërfshirëse.
Në Vushtrri, kandidatja për kryetare, Xhevahire Izmaku, është pritur ngrohtësisht nga qytetarët nëpër lagje e fshatra, ku ka theksuar përkushtimin për reformë në administratë, investime në arsim profesional, mbështetje për bujqësinë, si dhe rritje të rolit të grave në qeverisje. Gjatë një vizite në Akrashticë, ajo ka shprehur krenarinë për bashkëpunimin me Hatiqe Bunjaku Shalën, kandidate për Asamblenë Komunale nga kjo familje.
Ndërkaq, në Malishevë, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri, Ekrem Kastrati gjatë një tubimi ME banorët e Gurbardhit ka theksuar se mbështetja e qytetarëve është dëshmi e qartë e vlerësimit për punën e deritashme dhe ka premtuar vazhdimin e projekteve infrastrukturore, përmirësim të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, si dhe krijimin e kushteve për të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen në vendlindje.