PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI
Janë bërë publike adoptimet e para të qenve endacakë dhe kontrata për adoptimin e këtyre kafshëve. Nga 25 qen endacakë të gatshëm për adoptim, dy prej tyre kanë shprehur gatishmëri t’i adaptojnë dy qytetarë. Mirëpo, sipas qytetarëve, vendimi i Komunës nuk është zgjidhje e mirë.
Vetëm dy qytetarë kanë nënshkruar kontratë me Komunën e Prishtinës, për adoptimin e qenve endacakë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me këtë rast ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të kujdesen për kafshët.
“Jemi me dy adoptues të qenve endacakë që janë ofruar. Kontratën e kemi të gatshme, kontrata ka përgjegjësi edhe nga ana e kryeqytetit, por edhe për ata që adoptojnë qentë endacakë. Është kontratë e dyanshme me përgjegjësi të dyanshme”.
Mirëpo, pavarësisht që ky është vendim i Komunës së Prishtinës, për qytetarët nuk është zgjidhje.
“Kategorikisht jam kundër kësaj, duhet diçka ma humane për qentë jo në këtë mënyrë”.
“Problemi nuk zgjidhet duke bo kontraktime me kompani të palicencuara, pa transparencë, duke e shkelë ligjin, hapësirat po krijohen duke i keqpërdorur fondet e duke i keqtrajtuar qentë”.
Edhe avokati Arianit Koci, i cili njihet si aktivist për mbrojtjen e qenve endacakë, ka thënë se zyrtarët komunalë në bashkëpunim me AUV-in, nuk kanë bërë zgjidhje të duhur.
“Kam biseduar edhe me zyrtarë komunalë, edhe me AUV-in, po luajnë pingpong sa i përket përgjegjësisë, nuk është zgjidhje e duhur”.
Mirëpo, për këtë vendim vazhdon të arsyetohet Komuna e Prishtinës. Sipas drejtorit të sigurisë dhe emergjencave, kjo është e vetmja zgjidhje aktualisht.
“Problemi me qentë nuk mund të themi se po zgjidhet plotësisht, mirëpo zgjidhje tjetër nuk kemi në krahasim me numrin e madh te tyre”.
Qendra për Trajtimin e kafshëve aktualisht ka kapacitet për trajtimin dhe mbajtjen e 25 qenve, mirëpo sipas të dhënave të organizatave që merren me të drejtat e kafshëve, vetëm në Komunën e Prishtinës janë mbi 3 mijë qen endacakë.