Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka tërhequr mbi 13,000 pako të supozuara me fletëvotime nga kutitë postare të hapura në 22 shtete të ndryshme të botës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të këtyre pakove, me qëllim që të përcaktohet nëse ato janë dërguar nga shtetas të Kosovës të regjistruar si votues jashtë vendit.
“Pra, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen 13,000 pako dhe në fund do të kemi më shumë detaje. KQZ i referohet këtyre pakove si “pako të supozuara me fletëvotime” sepse në këtë fazë nuk mund ta dijmë me saktësi nëse brenda tyre ka fletëvotime dhe nëse të njëjtat janë dorëzuar nga votuesit e regjistruar”, theksoi ai.
Tutje, Elezi shtoi se gjatë periudhës së regjistrimit (23 korrik – 29 gusht 2025) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave ishte: 29,725 votues.







