Përgatiti: Pranvera Krasnqi
Radha është e gjatë, por produkte ka për të gjithë.
Për më tepër, të gjithë këta artikuj ushqimorë e higjienik janë falas, për familjet me asistencë sociale në kryeqytet.
Dyqani social, që u hap dy javë më parë në lagjen Pejton të Prishtinës, ofron pako në baza mujore për qytetarët në nevojë.
“Më në fund të gjithë ata që janë në skemën sociale në komunën e Prishtinës, kemi menduar që sado pak tua lehtësojmë barrën e furnizimit me ushqim e produkte higjienike…”, tha drejtoresha për Punë Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti.
Për hapjen e dyqanit bamirës, komuna bashkëpunoi me shoqatën “Bereqeti”.
Drejtori i saj, Behxhet Ajvazi, thotë se mund ta bëjnë edhe transportin e produkteve, nëse familjet në nevojë nuk kanë mundësi të vijnë për t’i marrë.
“E dimë që ka plot raste që nuk mund të vijnë këtu apo që janë në karroca, andaj jemi ndier të obliguar të ofrojmë mundësi furnizimi kështu duke siguruar transportin edhe për ata…”, tha Ajvazi.
Dyqani, kryesisht është i furnizuar me produkte vendore.
“Kemi menduar që të fillojmë me produkte vendore për t’iu lënë hapësirë edhe atyre për të kontribuuar dhe për ti reklamuar produktet tona, që të kontribuojnë edhe fabrikat vendore…”, tha Sahiti.
Dyqanin e furnizojnë komuna dhe shoqata “Bereqeti”, mirëpo këto thonë se mund të kontribuojnë edhe prodhuesit vendorë dhe qytetarët që kanë vullnet për t’u ndihmuar nevojtarëve.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: