Ka nisur protesta e qytetarëve serbë në Mitrovicën e veriut për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit si mjet pagese.
Në fotografitë e mëposhtme të siguruara nga ATV, shihet një numër qytetarëve serbë që janë mbledhur në protestë, në mesin e tyre edhe Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek dhe ai i subjektit politik Demokracia e Hapur, Aleksandar Arsenijeviq.
Kujtojmë se në katër komunat veriore të Kosovës, me shumicë serbe, janë parë të dielën disa grafite të reja me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar të dielën komunitetit serb në Kosovë, duke i thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk ia ndalon Serbisë që t’iu ndihmojë atyre dhe Kosova nuk e ka ndaluar dinarin, ashtu sikurse asnjë valutë tjetër.
Ai i është referuar rregullores së BQK-së – që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – e cila parasheh që valuta e vetme për kryerje të transaksioneve me para të gatshme është euroja. /atvlive.tv