Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë periudhës së luftës së Kosovës.
Kjo aktakuzë është ngritur ndaj R.V. dhe M.V., të nacionalitetit serb, dhe A.Ç., i nacionalitetit boshnjak.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve R.V. dhe M.V. të nacionalitetit serb, dhe A.Ç. të nacionalitet boshnjak, për shkak të dyshimit të bazuar se e kanë kryer veprën penale” “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Bëhet e ditur se hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, gjatë luftës në Kosovë, si pjesëtarë të rezervë të policisë, kanë bashkëpunuar me forcat policore serbe, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës dhe në fshatrat përreth këtij rajoni, kanë kryer vrasje, dëbime, shkatërrime pasurie dhe keqtrajtime ndaj civilëve shqiptarë, ku si pasojë, 14 shqiptar humbën jetën.
Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se të pandehurit gjenden në arrati.