Ngrirja e fondeve të USAID, Reuters me një shkrim për ndikimin në Kosovë

Kenan Gashi merr kukullat nëpër dyqane në Kosovë dhe i hedh në makineritë e dhuruara nga qeveria amerikane që copëtojnë dhe pastrojnë plastikën në mënyrë që të shitet për ripërdorim.

Bëhet e ditur se biznesi i riciklimit të Gashit në Fushë Kosovë u transformua kur mori pajisjet nga agjencia amerikane e ndihmës ndërkombëtare (USAID) dy vjet më parë, duke e shtyrë atë të hartonte plane për të punësuar më shumë punëtorë.

Por Gashi tani është i shqetësuar.

Më shumë se një e treta e pajisjeve të premtuara me vlerë 130,000 dollarë ende nuk ka mbërritur.

Dhe tani administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka ngrirë fondet e USAID-it dhe ka kërkuar të zvogëlojë në mënyrë drastike agjencinë e ndihmës dhe të gjithë ndihmën e huaj të SHBA-së nën agjendën e tij “America First”.

Javën e kaluar, në një deklaratë për shtypin, Trump përmendi donacionin në Kosovë si një shembull të llojit të shpenzimeve qeveritare që ai dëshiron të shkurtojë.

“Ne presim që të mbërrijnë makineritë e tjera dhe kemi planifikuar ta rrisim fuqinë punëtore nga pesë në 20, por gjithçka është e pasigurt tani”, tha Gashi.

Raportohet se SHBA-ja ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës që kur vendi i vogël ballkanik pa dalje në det u pavarësua.

Sipas shifrave të qeverisë amerikane, SHBA i ka ofruar Kosovës 1.1 miliardë dollarë ndihmë që nga viti 2001, përcjell Telegrafi.

Think tanku GAP me qendër në Prishtinë tha se USAID-i aktualisht po menaxhonte 17 projekte me vlerë më shumë se 156 milionë dollarë, por nuk është e qartë se sa nga këto janë disbursuar në të vërtetë.

Banorët në Kosovë thonë se vendi i tyre ka nevojë për ndihmën e aleatëve si SHBA-ja.

Kjo pasi ajo është dëmtuar nga tensionet e vazhdueshme etnike ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në veri.

Madje, Reuters zbuloi se më shumë se një duzinë projekte ndihme me vlerë të paktën 150 milionë euro janë anuluar nga Bashkimi Evropian si rezultat i rolit të autoriteteve të Kosovës në atë grindje.

“Njerëzit nuk do të vdesin për shkak të fondeve të ngrira të USAID-it”, tha Burim Ejupi nga think tank Indep me qendër në Prishtinë.

“Megjithatë, çdo dollar apo euro i marrë është i rëndësishëm për një vend që ka shumë nevojë për to”, shtoi Ejupi.

Ndryshe, në rrezik janë fondet që janë krijuar për të forcuar institucionet demokratike të Kosovës, për të përshpejtuar kalimin nga thëngjilli me ndotje të lartë në energjinë e rinovueshme dhe për të mbrojtur grupet e margjinalizuara.

Ata që kanë marrë fondet thonë se kjo ka një ndryshim për ta dhe komunitetin e tyre.

Një tjetër banor, Qazim Grashtica, 38 vjeç, fshin koshat e plehrave çdo ditë në Prishtinë në kërkim të plastikës.

USAID-i i siguroi atij traktorin dhe një makinë që shtyp plastikën.

Ndihma ka rritur të ardhurat e tij nga pesë euro në ditë në 20 euro në ditë.

“Para ndihmës së amerikanëve kishte raste kur 10 anëtarë të familjes flinim pa darkë. Ne nuk kishim asgjë për të ngrënë”, tha Grashtica.

“Unë do t’i them Trumpit se ti je njeri i mirë, duhet të ndihmosh njerëzit, veçanërisht ata në Kosovë”, përfundoi ai. /Telegrafi/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA