Përgatiti: Fatlum Jashari
Duke u thirrur në lehtësimin e lëvizjes, Serbia ka vendosur që nga 1 Janari të lejojë hyrjen dhe qarkullimin, në territorin e saj, të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës, pa stikerë që mbulojnë simbolet.
Njoftimin për vendimin e dha zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkovic.
Në një interpretim më direkt, Bashkimi Evropian e vlerësoi këtë vendim si hap të rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.
“Bashkimi Evropian mirëpret vendimin e Serbisë që zyrtarisht njeh targat e lëshuara nga Kosova – RKS… Ky vendim shtron rrugën drejt heqjes së regjimit të stikerëve. Tani BE-ja pret që Kosova të përgjigjet njësoj”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.
Këtë veprim të Serbisë, opinionisti Bekim Kabashi e ndërlidh me presionin ndërkombëtar, konkretisht propozimin për kushtëzimin e rrugës integruese të Serbisë në BE, me përfshirjen e marrëveshjes dhe shtojcës në Kapitullin 35.
“Palët po taktizojnë në këtë proces, duke mos dashur me zbatua thelbin e saj, po zbatojnë copëza, ta quaj kushtimisht kështu, për t’iu shpëtuar sanksioneve apo presionit ndërkombëtar, ose më saktë fajësimit se kush po e bllokon implementimin e marrëveshjes. Edhe kjo për targat, edhe pse është marrëveshje e vjetër më shumë se një dekadë, është në kuadër të kësaj tendencë për të marrë poenë pozitivë karshi BE-së”, tha Kabashi.
Referuar pajtimit paraprak nga komuniteti serb në veri për pajisje të automjeteve të tyre me targa RKS, profesori Dritëro Arifi, veprimet i sheh në kontekst të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.
“Plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit janë pranuar në heshtje nga të dyja palët, vetëm po duan ta gjejnë mënyrën më të butë, më të mirë sesi ta shesin në publik”, tha Arifi.
Muajt e fundit, rreth 4000 automjete në komunat me shumicë serbe, konvertuan targat ilegale serbe në RKS. Në Tetor të vitit 2021, Kosova dhe Serbia nisën zbatimin e regjimit të ndërsjellë të vendosjes së stikerëve mbi simbolet shtetërore në targat e automjeteve, në hyrje.