Pas disa javësh mungesë për shkak të një dëmtimi muskulor, Neymar u rikthye fundjavën e kaluar në fushë me fanellën e Santos, por rikthimi i tij në Kombëtaren braziliane do të duhet të presë edhe pak.
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka shpallur listën e lojtarëve për miqësoret e këtij muaji, ku “Seleção” do të zhvillojë dy ndeshje në Europë: më 15 nëntor ndaj Senegalit në Angli dhe më 18 nëntor ndaj Tunizisë në Francë.
Në këtë listë mungon emri i Neymarit, me Ancelottin që e justifikoi vendimin për shkak të gjendjes fizike të lojtarit. “Nuk kam folur ende me Neymarin. Do të shohim kur të jetë gati për t’u rikthyer. Dua që ai të jetë 100% para se të bashkohet me ekipin,” deklaroi trajneri italian.
Sulmuesi i Santos kishte pësuar një dëmtim në kofshën e djathtë në mes të shtatorit, që e mbajti jashtë fushave për shtatë ndeshje. Ai u rikthye fundjavën e kaluar kundër Fortalezës, duke luajtur për 23 minuta, por stafi teknik nuk dëshiron të rrezikojë një rikthim të parakohshëm.
Në mungesë të tij, Ancelotti ka zgjedhur të besojë tek brezi i ri i talenteve brazilianë, me emra si Vinicius Jr, Rodrygo, Richarlison, Matheus Cunha dhe João Pedro. Po ashtu janë përfshirë edhe Estêvão (Chelsea), Luiz Henrique (Zenit) dhe Vitor Roque (Palmeiras).
Trajneri italian shtoi se lista për Botërorin 2026 është tashmë “thuajse e përfunduar”:
“Kemi 17 ose 18 lojtarë të sigurt në formacion. Në mars do të kemi një tjetër test të rëndësishëm dhe ajo listë do t’i ngjajë shumë asaj përfundimtares.”
Lista e Brazilit për miqësoret e nëntorit
Portierë: Bento, Ederson, Hugo Souza
Mbrojtës: Alex Sandro, Caio Henrique, Danilo, Éder Militão, Fabricio Bruno, Gabriel Magalhães, Luciano Juba, Marquinhos, Paulo Henrique, Wesley
Mesfushorë: Andrey Santos, Bruno Guimarães, Casemiro, Fabinho, Lucas Paquetá
Sulmues: Estêvão, João Pedro, Luiz Henrique, Matheus Cunha, Richarlison, Rodrygo, Vinicius Jr, Vitor Roque. /ATVLIVE.TV


                                    
    





